Pas shkarkimit të Loina Priftit nga drejtimi i kompanisë së prodhimit të ID dhe pasaportave biometrike, “IdentiTek”, mësohet se kush është emri i ri që pritet të emërohet nga Ministri i Brendshëm. Mësohet se ajo është Freskida Halilaj, 32-vjeçarja me një përvojë në fushën e telekomunikacionit.
Zonja Halilaj më parë ka mbajtur postin e drejtoreshës së shitjeve në kompaninë Digicom Albania. Shkarkimi i Loina Priftit erdhi pas auditit të ngritur nga Ministria e Brendshme ku janë konstatuar shkelje të ndryshme të praktikave ligjore për ruajtjen e të dhënave sensitive, si dhe abuzim me fondet e kompanisë.
- Monopoli i artë i qeverisë
Qeveria fitoi 8.5 milionë euro në vetëm gjashtë muaj nga shitja e dokumentave të identifikimit tek qytetarët shqiptarë. Të dhënat nga bilanci i kompanisë publike Identitek, tregojnë se prodhimi dhe shitja e pasaportave mbeten një nga bizneset më fitimprurëse në vend me normë fitimi mbi 50 për qind.
Sipas bilancit, gjatë vitit të kaluar kompania Identitek arkëtoi në total 1.59 miliardë lekë ose 15.9 milionë euro nga shitja e dokumentave të identifikimit, ndërkohë që fitimi para taksave rezultoi 8.5 milionë euro.
Prodhimi dhe shpërndarja e dokumentave të identifikimi ka qenë një nga koncesionet më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania Aleat u kontraktua nga qeveria shqiptare për koncesionin ekskluziv në vitin 2008, fillimisht për një periudhë 5 vjeçare. Marrëveshja e koncesionit u shoqërua me rritje të ndjeshme të çmimeve të pasaportave dhe kartave të identitetit për qytetarët.
