Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur fituesin e një tenderi për përmirësimin e sistemit të pagesave të e-dëmshpërblimeve, një kontratë me vlerë rreth 33 milionë lekë, ose afërsisht 340 mijë euro pa TVSH.
Sipas dokumenteve të procedurës, kontrata parashikon një afat zbatimi prej 33 muajsh, ku 9 muaj janë për implementimin e sistemit dhe 24 muaj për mirëmbajtjen e tij.
Fitues i tenderit është shpallur bashkimi i operatorëve ekonomikë “DATALOG”, me pronar Sokol Sinanin, dhe “Advanced Business Solutions – ABS”. Oferta e paraqitur nga ky bashkim kompanish është rreth 300 mijë euro.
Kompania ABS ka qenë përfituese e një numri të madh kontratash publike në sektorin e teknologjisë së informacionit gjatë viteve të fundit, ndërsa disa procedura të lidhura me këtë institucion janë në verifikim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Sipas të dhënave të publikuara në media, aksionet e kompanisë ABS janë transferuar në vitin 2025 në emër të Shegush Meçe, ndërsa më herët kompania ka qenë e lidhur me biznesmenin Gerond Meçe.
Ndërkohë, hetimet e SPAK kanë përfshirë edhe disa ish-zyrtarë të AKSHI-t, mes tyre ish-drejtoren Mirlinda Karçanaj dhe zyrtarë të tjerë të institucionit, për të cilët janë vendosur masa sigurie në kuadër të çështjeve që lidhen me procedurat e prokurimit publik.
Tenderi për sistemin e e-dëmshpërblimeve është një nga projektet e fundit të shpallura nga AKSHI, ndërsa institucionet e drejtësisë vijojnë verifikimet për kontratat dhe procedurat e mëparshme të këtij institucioni.
