Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim sigurie për qytetarët amerikanë në prag të protestës së opozitës që pritet të zhvillohet sot, më 24 janar, në orën 17:00, përpara godinës së Kryeministrisë.
Në mesazhin zyrtar, Ambasada këshillon shtetasit amerikanë të shmangin demonstratën dhe zonat përreth saj, duke theksuar se, edhe pse protestat shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të përshkallëzohet papritur. Sipas njoftimit, pritet prani e shtuar policore, bllokim rrugësh dhe ndërprerje e trafikut në disa zona të Tiranës, veçanërisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, midis Sheshit Skënderbej dhe Sheshit Nënë Tereza.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve të saj të mbajnë një profil të ulët, të jenë të vetëdijshëm për rrethinën, të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonave apo kufjeve në ambiente publike dhe të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar. Po ashtu, këshillohet që të kenë gjithmonë një plan emergjence ose strategji daljeje në rast nevoje.
Personeli i Ambasadës së SHBA-së është udhëzuar të mos marrë pjesë dhe të shmangë zonat e protestës, ndërsa autoritetet lokale pritet të jenë në gatishmëri për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
