Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka mbajtur një fjalim të fortë në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku akuzoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ka krijuar një sistem që favorizon korrupsionin, pasuron oligarkët dhe po largon të rinjtë nga Shqipëria.
Tabaku deklaroi se pas 14 vitesh qeverisje socialiste, vendi po përballet jo vetëm me varfëri, emigracion dhe korrupsion, por mbi të gjitha me një krizë të thellë besimi. Sipas saj, shqiptarët nuk besojnë më se puna e ndershme shpërblehet, se mund të ecësh përpara pa lidhje politike apo se shteti funksionon për qytetarët.
“Njerëzit nuk besojnë më se mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Të rinjtë po largohen, ndërsa një pakicë e lidhur me pushtetin pasurohet çdo ditë me para publike, favore dhe tendera”, u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se sipërmarrësit e ndershëm detyrohen të paguajnë “taksën e korrupsionit” për të mbijetuar, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike. Sipas saj, modeli aktual i qeverisjes po shkatërron shpresën dhe po dëmton rëndë të ardhmen e vendit.
Në fjalën e saj, Tabaku bëri thirrje për bashkimin e të gjithë shqiptarëve që kërkojnë ndryshim, pavarësisht bindjeve politike, duke theksuar se beteja kryesore nuk është vetëm kundër kundërshtarit politik, por kundër dëshpërimit dhe humbjes së besimit.
Deputetja demokrate u shpreh se Partia Demokratike duhet të shndërrohet në një alternativë që rikthen meritokracinë, drejtësinë dhe mundësitë për të rinjtë, duke ndërtuar një Shqipëri ku puna shpërblehet, biznesi konkurron ndershmërisht dhe qytetarët nuk detyrohen të largohen për të siguruar një jetë më të mirë.
