Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar një rezolutë të fortë politike, ku zgjedhjet parlamentare të 11 majit cilësohen si një “farsë elektorale”, ndërsa paralajmërohet përshkallëzimi i aksionit opozitar me synim krijimin e një qeverie teknike dhe garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Në dokumentin e miratuar nga delegatët demokratë, theksohet se Shqipëria ndodhet në një moment kritik, ndërsa akuzohet qeveria e kryeministrit Edi Rama për instalimin e një regjimi autokratik dhe kleptokratik, ku sipas opozitës janë shuar kufijtë mes partisë dhe shtetit.
Demokratët pretendojnë se procesi zgjedhor i 11 majit u ndikua nga përdorimi i administratës publike, patronazhimi politik dhe ndërhyrja e elementëve kriminalë, duke cenuar standardet demokratike dhe vullnetin e qytetarëve.
Rezoluta ndalet gjithashtu te situata ekonomike dhe sociale në vend, duke ngritur shqetësimin për emigracionin masiv, rritjen e korrupsionit, pastrimin e parave dhe përqendrimin e pasurisë në duart e një grupi të vogël personash të lidhur me pushtetin.
Sipas Partisë Demokratike, bizneset po përballen me presion dhe mungesë konkurrence të ndershme, ndërsa paratë e krimit po ndikojnë në ekonominë dhe proceset zgjedhore të vendit.
Një nga pikat kryesore të rezolutës është angazhimi i PD-së për të kërkuar krijimin e një qeverie teknike, e cila sipas saj do të siguronte kushtet minimale për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike dhe rikthimin e besimit të qytetarëve te procesi zgjedhor.
Në përfundim, Kuvendi Kombëtar i PD-së u bëri thirrje të gjitha forcave opozitare, organizatave shoqërore dhe qytetarëve të bashkohen në një front të përbashkët politik, me qëllim realizimin e ndryshimit politik, forcimin e demokracisë dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë.
