Një drejtues furgoni është arrestuar në Lushnjë, pas një kallëzimi për ngacmim seksual ndaj një të miture që ai transportonte çdo ditë nga banesa në shkollë dhe anasjelltas.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi me iniciale Th.K., i punësuar si drejtues mjeti në një shkollë jopublike, u ndalua mbrëmjen e 31 marsit pas denoncimit të bërë nga familjarët e vajzës.
Burime bëjnë me dije se e mitura kishte rrëfyer për sjelljen e papërshtatshme të drejtuesit të furgonit, çka ka çuar në kallëzimin e rastit pranë autoriteteve.
Vajza është marrë në pyetje në prani të një psikologeje, ndërsa dëshmia e saj ka shërbyer si bazë për ndërhyrjen e policisë dhe ndalimin e të dyshuarit.
Ndërkohë, autoritetet po vijojnë hetimet për të verifikuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të zbardhur çdo detaj të rastit. Ende nuk ka një reagim zyrtar nga policia për këtë çështje.
