Dy tendera pa garë, me fond limit total rreth 2.2 milionë euro, që Bledian Dalipi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) i ka dhënë në dy vitet e fundit shoqërisë “Besta” të Robert Zykës, nuk kanë rezultuar aspak pozitiv për qytetarët e Beratit dhe Kuçovës.
Prej ditësh, banorët e qytetit të “një mbi një dritareve” po vuajnë mungesa të theksuara të energjisë elektrike. Sipas raportimeve të përcjella në adresë të “Boldnews.al”, lagjet e Beratit furnizohen me shkëputje në mënyrë simultane nga 30 minuta, duke sjellë një situatë vërtetë shumë të rëndë për jetën e banorëve dhe aktivitetet tregtare.

Qytetarët e Beratit, të cilët masivisht votuan për Partinë Socialiste të Edi Ramës, nuk kanë gjetur ende guximin t’i kërkojnë llogari qeverisë për situatën e vështirë në këtë sezon shumë të nxehtë veror, duke zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të reagimit bosh në rrjete sociale.
Por, qytetarët e Beratit, Kuçovës dhe zonat përreth, nuk janë thjesht viktima të papërgjegjshmërisë institucionale. Më keq akoma, institucionet që menaxhojnë sistemin e energjisë elektrike kanë shpenzuar qindra miliona lekë dhe situata vijon të jetë ende e rëndë.
