Kreu i grupit parlamentar të Partia Socialiste, Taulant Balla, u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë projektligjin për financimin e projektit “Porta e Alpeve”, duke theksuar rëndësinë e investimeve për qarkun e Shkodër.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla deklaroi se gjatë qeverisjes së Edi Rama janë investuar rreth 1.3 miliardë euro në qarkun e Shkodrës.
“Mjaftuan këto tre vite të para që Shkodra i dha PS për të vërtetuar sesi ishte marrë peng ajo bashki”, u shpreh Balla.
Ai kërkoi që projektet infrastrukturore dhe marrëveshjet financiare të mbështeten përtej ndarjeve politike.
“Kur bëhet fjalë për të mirën e Shqipërisë dhe për investime të kësaj natyre, duhet t’i bëjmë së bashku. Ftesa është që t’i lini urdhrat e partisë, t’i shërbeni Shkodrës dhe Shqipërisë dhe ta votoni këtë marrëveshje”, deklaroi ai.
Balla komentoi gjithashtu edhe zhvillimet që lidhen me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke iu referuar raportit të Piketave të Ndërmjetme (IBAR).
Sipas tij, kalimi i raportit në grupin e punës për zgjerimin, COELA, përbën një lajm pozitiv për vendin.
“E di që shumë prej jush prisnit që COELA të mos e kalonte sot raportin e Piketave të Ndërmjetme, por e kaluan dhe ky është lajm i mirë për Shqipërinë”, tha Balla, duke shtuar se procesi i integrimit kërkon ende shumë punë dhe kontribut nga të gjitha palët politike.
