Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e 40-vjeçarit Aleksandër Koçeku, i cili u ekzekutua në zonën e Karmës së Kirit, në aksin malor Kir–Prekal, në Dukagjin.
Sipas burimeve hetimore, ndaj viktimës janë qëlluar rreth 25 plumba automatiku nga e njëjta armë. Atentati është kryer në një segment rrugor me qarkullim të kufizuar automjetesh dhe pa kamera sigurie, çka dyshohet se është zgjedhur qëllimisht nga autorët për të lehtësuar ekzekutimin dhe largimin nga vendi i ngjarjes.
40-vjeçari u gjet pa shenja jete brenda automjetit të tij nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë. Sipas hetimeve paraprake, autorët i kishin zënë pritë dhe e qëlluan me breshëri automatiku.
Grupi hetimor është fokusuar fillimisht te pista e hakmarrjes. Familjarët kanë deklaruar se Aleksandër Koçeku jetonte prej vitesh nën kërcënimin e gjakmarrjes, që pas vrasjes së Angjelin Shkambit në vitin 2017. Për atë ngjarje, vëllai i viktimës, Artan Koçeku, po vuan dënimin me burg, ndërsa të afërmit dyshojnë se atentati mund të jetë një akt hakmarrjeje.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku ishte gjithashtu nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës në kuadër të dosjes për vrasjen e 19-vjeçarit Pavlin Preka, ndërsa vetëm pak ditë më parë organi i akuzës kishte vendosur zgjatjen e afatit të hetimeve për këtë çështje.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të motiveve të ekzekutimit.
