Taksat dhe faturat publike rëndojnë buxhetin familjar, 75% e shqiptarëve preken drejtpërdrejt

Data

Sistemi fiskal dhe tarifat administrative po kthehen në një barrë serioze për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por Shqipëria rezulton ndër vendet ku ky presion ndihet më fort. Sipas anketës rajonale “Securimetri 2025”, rreth 75% e shqiptarëve deklarojnë se taksat dhe faturat publike u rrisin koston e jetesës me 10% deri në 50% të të ardhurave mujore.

Të dhënat tregojnë se 30% e qytetarëve në Shqipëri shprehen se detyrimet publike u marrin 21–30% të buxhetit mujor, përqindja më e lartë në rajon dhe mbi mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 25%. Ky tregues sinjalizon se për një pjesë të madhe të popullsisë, pagesat ndaj shtetit ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien ekonomike të familjeve.

Vetëm 13% e shqiptarëve mendojnë se taksat dhe tarifat përbëjnë më pak se 10% të kostove të jetesës, një nga nivelet më të ulëta në rajon. Kjo tregon se barra fiskale perceptohet si e shpërndarë gjerësisht, veçanërisht mbi shtresën e mesme.

Në krahasim, Kosova paraqitet si vendi me barrën më të lehtë fiskale, ku 17% e qytetarëve deklarojnë se detyrimet publike janë nën 10% të të ardhurave mujore. Serbia, nga ana tjetër, ka përqindjen më të lartë të qytetarëve që raportojnë kosto ekstreme, me 11% që thonë se deri në gjysmën e të ardhurave mujore shkon për pagesa ndaj shtetit, ndërsa në Shqipëri kjo kategori mbetet minimale me vetëm 3%.

Maqedonia e Veriut kryeson rajonin për kategorinë e barrës së moderuar, ku 36% e qytetarëve paguajnë 10–20% të të ardhurave mujore në detyrime publike, duke u afruar me perceptimin shqiptar.

Për Shqipërinë, shifrat tregojnë një ndjeshmëri të lartë ndaj kostove publike, përfshirë faturat e energjisë, ujit dhe tarifat administrative, të cilat për një pjesë të madhe të popullsisë gërryejnë ndjeshëm buxhetin familjar dhe ndikojnë në standardin e jetesës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related