Gazetari Elton Tozaj, i cili u dhunua rëndë pak ditë më parë, ka folur publikisht për ngjarjen, duke treguar detaje tronditëse nga momentet para dhe pas sulmit.
Ai shprehet se kishte rënë dakord për një takim me personat që, sipas tij, e kishin kërcënuar më parë, me qëllim sqarimin e një reagimi të tij lidhur me lajmet që kishte publikuar. Sipas Tozajt, takimi u zhvillua me mirëbesim, pa e imagjinuar se do të përfundonte në dhunë brutale.
Gazetari tregon se pas takimit u sulmua në mënyrë çnjerëzore dhe nuk mban mend momentet e dhunimit, për shkak të goditjeve të forta. Fjalia e fundit që i kujtohet është: “Kush je ti që do të ndryshosh botën”.
Kur rifitoi vetëdijen, ai u gjend i shtrirë në mes të rrugës, i mbuluar në gjak. Sipas tij, autorët e kishin lënë aty duke e konsideruar të vdekur. Tozaj thekson se goditjet ishin përqendruar vetëm në fytyrë, duke lënë të kuptohet se qëllimi ishte frikësimi dhe dërgimi i një mesazhi që të mos shfaqej më publikisht.
Ai bën me dije se ende nuk ka bërë kallëzim zyrtar, por pret kontakt nga Prokuroria, ndërsa shpreh frikë serioze për sigurinë e tij dhe të nënës së tij.
