Ligji i ri për diplomacinë, Spiropali: Standarde europiane dhe reformë e thellë e shërbimit të jashtëm

Data

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi projektligjin e ri për Shërbimin e Jashtëm në Republikën e Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një reformë të thellë që synon modernizimin e diplomacisë shqiptare dhe përafrimin e saj me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas ministres, ligji i ri nuk është një përditësim teknik, por një ndërhyrje strukturore që lidhet drejtpërdrejt me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Ai synon të rrisë profesionalizmin, meritokracinë, transparencën dhe koordinimin institucional në shërbimin diplomatik.

Spiropali theksoi se për qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, ligji përmirëson ndjeshëm mbrojtjen e të drejtave dhe rrit efikasitetin e shërbimeve konsullore. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe mbështetjes së jetës kulturore dhe identitare të diasporës shqiptare.

Projektligji parashikon gjithashtu hapje më të madhe të diplomacisë ndaj shoqërisë civile dhe biznesit, duke krijuar mekanizma më funksionalë për përfshirjen e tyre në politikat e jashtme dhe në promovimin ekonomik të vendit. Hapja e posteve të reja konsullore dhe misioneve diplomatike synon të forcojë lidhjet e Shqipërisë me tregjet ndërkombëtare.

Për diplomatët, ligji i ri forcon statusin e tyre profesional, përmirëson trajtimin financiar dhe vendos një sistem më të qartë dhe të parashikueshëm karriere, të bazuar në meritë. Po ashtu, rregullohen më qartë procedurat e emërimit dhe përfundimit të mandateve në misionet diplomatike.

Një risi e rëndësishme është ristrukturimi i Akademisë Diplomatike, e cila do të bashkëpunojë më ngushtë me institucione homologe ndërkombëtare, si dhe krijimi i zyrave ekonomike dhe qendrave kulturore pranë përfaqësive diplomatike shqiptare.

Sipas Spiropalit, ky ligj synon ta bëjë diplomacinë shqiptare më aktive, më profesionale dhe më të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të integrimit europian dhe përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related