Tabaku kundër Ramës për zonat e mbrojtura: Po dezinformon opinionin publik për amendamentet e Parlamentit Europian

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar pas debatit të krijuar rreth amendamenteve të Parlamentit Europian lidhur me zonat e mbrojtura në Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për dezinformim të opinionit publik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku deklaroi se amendamentet e miratuara nga Parlamenti Europian mbështesin shqetësimet e ngritura prej kohësh lidhur me ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe pasojat që ato kanë sjellë mbi mjedisin dhe interesin publik.

Sipas saj, ndryshimet në legjislacion kanë krijuar hapësira për përfitime nga interesa të ngushta private në territore me vlera të larta natyrore dhe mjedisore.

“Disinformuesi më i madh i opinionit publik në Shqipëri foli përsëri. Euforia e atyre që kanë ngritur një sistem në shërbim të pakicës dhe jo të interesit publik nuk mund të fshehë të vërtetën”, shkroi Tabaku.

Deputetja demokrate argumentoi se ndryshimet e ligjit për zonat e mbrojtura kanë lehtësuar kalimin e pronave dhe territoreve me rëndësi të veçantë natyrore në duart e grupeve të interesit, ndërsa theksoi se disa prej përfituesve të këtyre skemave janë aktualisht subjekt hetimesh nga SPAK.

Sipas Tabakut, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor që ekzistonte përpara ndryshimeve të vitit 2024 dhe rishikimin e politikave që, sipas saj, kanë favorizuar trajtim preferencial për investitorë të caktuar.

“Pikërisht për këtë arsye, amendamentet e Parlamentit Europian kërkojnë rikthimin e kuadrit ligjor përpara ndryshimeve të vitit 2024. Njësoj siç kërkojnë heqjen e ligjit të investimeve strategjike, i cili është shndërruar në simbol të privilegjeve dhe kapjes së shtetit nga interesa të veçanta”, theksoi ajo.

Në reagimin e saj, Tabaku argumentoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian kërkon reforma të thella, institucione të pavarura dhe respektim të barazisë para ligjit.

“Shqipëria mund të bëhet pjesë e Europës vetëm duke çmontuar sistemin që punon për një grusht njerëzish dhe që ka dëmtuar ekonominë, konkurrencën dhe besimin te shteti. Ata që ndërtuan arkitekturën e shtetit të kapur nuk mund të jenë ata që do të ndërtojnë Shqipërinë europiane”, përfundoi deputetja demokrate.

Reagimi i Tabakut vjen pas deklaratave të kryeministrit Rama, i cili e interpretoi votimin në Parlamentin Europian si një mbështetje për qasjen e qeverisë ndaj zhvillimit të zonës së Zvërnecit dhe projekteve të lidhura me të.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related