Tufa e dhive i bashkohet protestës para Kryeministrisë: “Jemi protestuese strategjike”

Data

Një formë e pazakontë proteste ka tërhequr vëmendjen mbrëmjen e sotme para Kryeministrisë, ku një tufë dhish iu bashkua simbolikisht protestës qytetare që po zhvillohet për të 18-ën ditë radhazi në Tiranë.

Pas flamingove prej kartoni, të cilat janë kthyer në simbol të kundërshtimit ndaj ndërhyrjeve në zonat e mbrojtura, protestuesit sollën edhe disa dhi, duke i shoqëruar me pankarta satirike dhe mesazhe mjedisore.

Të vendosura brenda një gardhi simbolik, dhitë u shoqëruan me slogane si: “Jemi protestuese strategjike”, “Dhitë bashkohen me flamingot”, “Ndaloni ekocidin”, “Erdhëm të mbrojmë malet para se të na i marrë qeveria” dhe “Nuk aspirojmë për politikë, duam vetëm ujë në lumë”.

Sipas protestuesve, prania e kafshëve synon të tërheqë vëmendjen ndaj shqetësimeve për mjedisin, zonat e mbrojtura dhe zhvillimet që, sipas tyre, rrezikojnë ekosistemet natyrore në vend.

Dhitë janë sjellë nga zona e Kelmendit dhe gjatë protestës u panë duke u ushqyer nga pjesëmarrësit, ndërsa qytetarë të shumtë ndaluan për të bërë fotografi dhe për të ndjekur nga afër performancën simbolike.

Aksioni u prit me interes nga të pranishmit dhe u bë një nga momentet më të komentuara të protestës së kësaj mbrëmjeje, duke shtuar elementët simbolikë që kanë karakterizuar lëvizjen qytetare gjatë javëve të fundit.

Organizatorët deklaruan se mesazhi kryesor mbetet mbrojtja e natyrës dhe kundërshtimi i ndërhyrjeve që, sipas tyre, rrezikojnë pasuritë natyrore dhe identitetin mjedisor të Shqipërisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related