Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhër-arreste, Rama merr në mbrojtje “Kurum”: Lajthitje, i futën të gjithë në një thes

Data

Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Prokurorisë së Durrësit për lëshimin e 33 urdhër-arresteve lidhur me çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë “Kurum”, të cilat, pasi u kthyen nga Tajlanda, vijojnë të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos.

Gjatë podkastit të tij “Flasim”, Rama e cilësoi vendimin e prokurorit si të padrejtë dhe në kundërshtim me standardet e drejtësisë demokratike, duke theksuar se masa e “arrestit me burg” nuk përmbush asnjë nga kushtet e përcaktuara nga praktikat europiane.

Sipas kryeministrit, me këtë vendim janë trajtuar në mënyrë të njëjtë të gjithë personat e përfshirë, pa bërë dallime individuale përgjegjësie, duke i “futur të gjithë në një thes”, siç u shpreh ai.

Rama kritikoi ashpër atë që e quajti “modë të re të arresteve pa gjyq”, duke shtuar se në këtë rast është arritur një kulm i papranueshëm, me dhjetëra masa sigurie të dhëna nga një prokuror i vetëm, pa plotësuar kushtet minimale ligjore.

Ai gjithashtu u shpreh se kushdo që mendon se këto, sipas tij, “lajthitje të drejtësisë së re” do të prodhojnë kosto politike për mazhorancën apo do të ndihmojnë opozitën të rikthehet në pushtet, gabon rëndë.

Sipas Ramës, vendimmarrja politike në Shqipëri nuk ndikohet nga këto zhvillime, por nga vullneti i qytetarëve të shprehur përmes votës.

“Nuk janë arrestet pa gjyq apo lajthitjet e sistemit që vendosin për pushtetin. Vendos vetëm populli shqiptar”, theksoi kryeministri, duke shtuar se lufta për drejtësi, shtet ligjor dhe integrimin europian ka, sipas tij, një garant të vetëm: mazhorancën aktuale qeverisëse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related