Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 16 persona në lidhje me bllokimin e akseve rrugore gjatë protestave të zhvilluara në kryeqytet, ndërsa dy shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit zyrtar, personat e proceduar dyshohen për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Mes të proceduarve ndodhen edhe tre nga nismëtarët e protestave qytetare, Arben Kola, Luçiana Kokaj dhe Arilda Lleshi, të cilët kanë qenë figura të njohura në organizimin e tubimeve të fundit në Tiranë.
Lista e personave të proceduar përfshin gjithashtu Ernest Kapon, Aurel Kujtimin, Tomas Krojën, Mateo Yskollarin, Xhonatan Dobrozin, Sergo Tafën, Ilir Xhemalajn, Ergi Qokun, Ervis Krepin, Ali Dizdarin, Sokol Gjokën dhe Emir Lecinin.
Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim Eduart Qemën dhe Markel Capon, për të cilët po vijon puna për lokalizimin dhe shoqërimin e tyre.
Sipas hetimeve paraprake, të proceduarit dyshohet se kanë nxitur pjesëmarrësit në protestë që të vijonin tubimin përtej orarit të njoftuar zyrtarisht, nga ora 18:00 deri në 22:00, si dhe të mos respektonin perimetrin e përcaktuar për zhvillimin e aktivitetit.
Autoritetet pretendojnë se si pasojë e këtyre veprimeve janë shkaktuar bllokime të konsiderueshme të trafikut në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Sipas Policisë, një pjesë e protestuesve kanë hyrë edhe në hapësirën e “Fan Zone” në sheshin “Skënderbej”, e destinuar për aktivitete sportive, ku janë bërë thirrje për t’iu bashkuar protestës dhe janë krijuar situata që, sipas autoriteteve, kanë cenuar qetësinë publike.
Policia e Tiranës bëri të ditur se hetimet vijojnë dhe se po punohet për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në organizimin ose zhvillimin e veprimeve të konsideruara të paligjshme gjatë protestave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, e cila do të vijojë me veprimet e mëtejshme ligjore. Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, autoritetet njoftuan se kishin nisur procedime penale edhe ndaj 19 personave të tjerë të përfshirë në protesta të ngjashme.
