Tabaku kërkon mocion me debat për protestat: Parlamenti të dëgjojë zërin e qytetarëve, jo t’i sulmojë

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përsëritur në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kërkesën e opozitës për zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend lidhur me protestat qytetare dhe kërkesat e tyre.

Gjatë fjalës së saj, Tabaku deklaroi se Parlamenti është shkëputur nga realiteti që, sipas saj, po përjetohet jashtë dyerve të Kuvendit, ndërsa akuzoi mazhorancën se po injoron zërin e qytetarëve.

“Ky Parlament është totalisht jashtë realitetit. Ju nuk mund të silleni normalisht në këtë sallë, kur sheshi përpara saj prej 25 ditësh është i mbushur me qytetarë që kërkojnë largimin e qeverisë dhe të kryeministrit, si dhe kanë paraqitur kërkesa konkrete”, u shpreh Tabaku.

Deputetja demokrate argumentoi se shqetësimet e ngritura nga protestuesit janë reflektuar edhe në raportet e fundit të Parlamentit Europian, duke përmendur çështje që lidhen me zgjedhjet, korrupsionin dhe situatën ekonomike në vend.

Sipas saj, protestuesit kanë ngritur shqetësime për gjendjen ekonomike, menaxhimin e pronës publike dhe ligjin për investimet strategjike, të cilin e cilësoi si një mekanizëm që ka favorizuar klientelizmin në vend të investimeve të mirëfillta.

“Keni ligjin për investimet strategjike, të cilin prej 10 vitesh vazhdoni ta shtyni. Ndërkohë nuk keni investime strategjike të mirëfillta, por vetëm të ashtuquajtur investitorë që janë klientët tuaj”, deklaroi ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, Tabaku i bëri thirrje mazhorancës të pranojë zhvillimin e mocionit me debat dhe të dëgjojë kërkesat e qytetarëve.

“Prandaj dëgjoni zërin e protestuesve dhe hiqni dorë nga sulmet ndaj tyre”, përfundoi deputetja e Partisë Demokratike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related