SPAK përgjoi për një vit sekretaren dhe shoferin e Ballukut, dosja ngre dyshime për përdorimin e vilës luksoze në Dhërmi

Data

Përgjimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) gjatë një periudhe njëvjeçare ndaj sekretares personale dhe shoferit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku kanë sjellë në dosjen hetimore elementë që, sipas organit të akuzës, krijojnë dyshime mbi përdorimin faktik të një vile luksoze me pishinë në Dhërmi.

Sipas materialeve hetimore, përgjimet janë zhvilluar nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2025 dhe përfshijnë komunikime mes sekretares Alketa Pano, shoferit Albert Ushe dhe punonjësve që shërbenin në vilën e identifikuar si F-6.

Në një nga bisedat telefonike të përgjuara, sekretarja përcjell shqetësimin e “shefes” për të futur drutë brenda vilës për shkak të reshjeve të shiut në Dhërmi, ndërsa shoferi konfirmon se ato ishin sistemuar për të mos u lagur. Sipas SPAK, ky komunikim konsiderohet një nga indiciet që tregojnë interesimin dhe administrimin e përditshëm të pronës.

Në dokumentacionin hetimor thuhet se vila figuron në kontratë porosie me ish-futbollistin Igli Tare, ndërsa në regjistrat hipotekorë vijon të jetë në pronësi të kompanisë “Eurocol”, në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli. Ky i fundit ka deklaruar se prona nuk është kaluar ende në emër të Tares për shkak të një detyrimi financiar të papaguar.

Nga ana tjetër, sipas materialeve të administruara nga SPAK, dëshmitë e personave të marrë në pyetje dhe përgjimet telefonike krijojnë një panoramë tjetër mbi përdorimin e vilës.

Në dosje është përfshirë edhe dëshmia e pastrueses Lavdije Smone, e cila ka deklaruar se prej rreth dhjetë vitesh punon në familjen e Belinda Ballukut dhe se gjatë viteve të fundit ka kryer shërbime pastrimi edhe në vilën në Dhërmi, ku shkon disa herë gjatë sezonit veror dhe në periudhën e festave të fundvitit.

Sipas deklarimit të saj, në vilë udhëtonte zakonisht me shoferin Albert Ushe, ndërsa koordinimi për lëvizjet bëhej nga Belinda Balluku, Albert Ushe ose Joana Bushi.

Materialet hetimore pritet të jenë pjesë e vlerësimit të SPAK në vijim të procedurës, ndërsa deri në këtë fazë nuk ka një vendim gjyqësor që të konfirmojë përfundimisht pretendimet e ngritura në dosje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related