Një alarm sigurie është shpallur në Bruksel, pasi dy pako të dyshimta janë zbuluar në stacionin kryesor të trenit dhe metrosë Gare du Midi.
Sipas policisë federale belge, njëra pako u gjet në platformën 20 dhe tjetra në platformën 18, rreth orës 17:20 sipas kohës lokale. Si masë sigurie, autoritetet urdhëruan evakuimin e menjëhershëm të stacionit të trenit dhe të metrosë.
Për pasojë, të gjitha lëvizjet e trenave nga dhe drejt këtij stacioni u pezulluan, duke shkaktuar kaos në transport gjatë orëve të pikut.
Në vendngjarje u thirr edhe njësia e specializuar për çmontimin e bombave, DOVO, e cila po heton natyrën e pakove të dyshimta.
Incidenti vjen në një moment delikat për Belgjikën, vetëm një ditë pas përkujtimit të 10-vjetorit të sulmeve terroriste të vitit 2016, ku u goditën metroja në Maelbeek dhe aeroporti i Brukselit, duke shkaktuar dhjetëra viktima.
Aktualisht, niveli i kërcënimit në Belgjika mbetet “serioz”, ndërsa autoritetet theksojnë se sistemet e sigurisë dhe bashkëpunimi mes institucioneve janë përmirësuar ndjeshëm vitet e fundit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një kërcënim real apo një alarm të rremë, ndërsa zona mbetet e rrethuar nga forca të shumta sigurie.
