Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se operacioni ushtarak i ndërmarrë në Iran, me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit Donald Trump, është “operacioni ajror më vdekjeprurës, më kompleks dhe më preciz në histori”.
“Ne nuk e filluam luftën, por nën presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë”, tha Hegseth gjatë një adresimi nga Pentagoni.
Ai theksoi se presidenti Trump ka tërhequr vijën “pas 47 vjetësh armiqësi me Iranin”, duke paralajmëruar se kushdo që vret ose kërcënon amerikanë do të ndiqet nga Shtetet e Bashkuara “pa kërkimfalje dhe pa hezitim”.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një operacion të madh në Iran më 28 shkurt, duke sulmuar objektiva të ushtrisë dhe të regjimit klerik. Trump deklaroi se qëllimi i operacionit, të koduar “Tërbimi Epik”, është të “sigurojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore”.
Presidenti amerikan u bëri thirrje forcave të armatosura të Iranit që të dorëzonin armët në këmbim të “imunitetit të plotë”, duke paralajmëruar se në të kundërtën “do të përballen me vdekje të sigurt”.
Sipas raportimeve, udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, dhe dhjetëra liderë të tjerë janë konfirmuar të vrarë gjatë operacionit. Në kundërpërgjigje, Irani ka nisur sulme ndaj objektivave në vendet aleate të SHBA-së në rajon.
Hegseth deklaroi se është e logjikshme që regjime si Irani nuk duhet të kenë armë bërthamore dhe se Trump ka “guximin” për ta zbatuar këtë qëndrim. Ai theksoi se operacioni nuk është “një luftë për ndryshim regjimi”, por shtoi se “regjimi me siguri ndryshoi dhe bota është më mirë nga kjo”.
Sipas tij, operacioni nuk do të çojë në një “luftë të pafund”, ndërsa synimi i SHBA-së mbetet shkatërrimi i raketave iraniane dhe infrastrukturës tjetër të sigurisë.
Hegseth akuzoi gjithashtu Teheranin se ka refuzuar të negociojë një marrëveshje “paqësore dhe të arsyeshme” me SHBA-në.
“Ata po zvarriteshin, duke blerë kohë për të ringarkuar rezervat e tyre të raketave dhe për të rinisur ambiciet e tyre bërthamore”, tha ai, duke shtuar se “Presidenti Trump nuk i luan këto lojëra. Ne luftojmë për të fituar dhe nuk humbasim kohë ose jetë”.
Operacioni “Tërbimi Epik” vjen pas disa javësh kërcënime nga presidenti Trump për veprime ushtarake nëse Irani nuk pranonte një marrëveshje të re për programin e tij bërthamor. Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se aktivitetet e tij bërthamore janë tërësisht paqësore.
Pas Hegseth, foli edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, Dan Caine, i cili shprehu ngushëllime për ushtarët e vrarë dhe të plagosur gjatë operacionit në Iran.
Komanda Qendrore e Ushtrisë amerikane (CENTCOM) njoftoi se një tjetër ushtar amerikan, i plagosur gjatë sulmeve iraniane, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Më herët ishte konfirmuar se tre ushtarë amerikanë kishin humbur jetën dhe pesë të tjerë ishin plagosur rëndë gjatë operacioneve në rajon.
“Ne presim të pësojmë humbje shtesë dhe, si gjithmonë, do të punojmë për t’i minimizuar humbjet e SHBA-së”, tha Caine.
Ai shtoi se operacioni në Iran përfshin Marinën, Korpusin e Marinës, Forcat Ajrore, Forcën Hapësinore dhe Rojën Bregdetare amerikane, të cilat po bashkëpunojnë me ushtrinë izraelite.
