Demokratët Evropianë (PDE/EDP) kanë reaguar sërish lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke i cilësuar ato si një sinjal të fortë politik që, sipas tyre, nuk mund të shpërfillet nga asnjë forcë politike në Shqipëri.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, PDE/EDP vlerëson se protestat nuk përfaqësojnë vetëm kundërshtimin ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, por edhe zhgënjimin e një pjese të qytetarëve ndaj opozitës, e cila, sipas tyre, nuk perceptohet më si një alternativë bindëse.
Sipas Demokratëve Evropianë, zhvillimet e fundit tregojnë se pakënaqësia qytetare ka tejkaluar përplasjen tradicionale mes mazhorancës dhe opozitës, duke u shndërruar në një kërkesë për ndryshim të modelit politik.
“Mbrëmë në Tiranë, dita e 24-të e protestës dërgoi një mesazh që asnjë parti nuk mund ta injorojë. Sloganet synonin Edi Ramën dhe qeverinë e tij, por edhe një opozitë që shumë qytetarë nuk e shohin më si një alternativë. Kjo është më shumë se një protestë kundër një udhëheqësi. Është refuzimi i një kuadri politik që nuk ka arritur të sjellë prosperitet, transparencë dhe besim”, thuhet në reagim.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se Shqipëria ka nevojë për një proces të ri demokratik dhe jo për marrëveshje të reja mes elitave politike ekzistuese.
“Shqipëria meriton ripërtëritje demokratike, jo një tjetër pazar të mbyllur midis elitave të konsumuara. Rrugët po kërkojnë të ecin përpara”, përfundon reagimi i Demokratëve Evropianë.
