Kuvendi i Shqipërisë ka reaguar pas sulmit të dyshuar kibernetik të publikuar nga grupi i hakerëve Homeland Justice, duke sqaruar se është konstatuar një akses i paautorizuar në infrastrukturën IT të institucionit.
Sipas reagimit zyrtar, incidenti është zbuluar mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, kur gjatë verifikimeve është vënë re se një pjesë e informacionit në disa llogari përdoruesish të administratës ishte fshirë.
Vlerësimi paraprak teknik tregon se mund të bëhet fjalë për një sulm kibernetik të sofistikuar që ka pasur si qëllim fshirjen e të dhënave dhe cenimin e disa sistemeve të brendshme të institucionit.
Megjithatë, sipas Kuvendit, analizat e para tregojnë se infrastruktura kryesore e punës nuk është prekur dhe se faqja zyrtare e institucionit, si edhe sistemet që mbështesin funksionimin e tij, vijojnë të punojnë normalisht.
Menjëherë pas konstatimit të incidentit janë marrë masa për izolimin e trafikut të dyshimtë dhe për neutralizimin e sulmit, ndërsa ekipet teknike po punojnë për rikuperimin e të dhënave të fshira nga llogaritë e përdoruesve.
Për këtë situatë është ngritur një skuadër e përbashkët teknike dhe hetimore që po analizon incidentin, me qëllim identifikimin e burimit të sulmit dhe rikthimin e të dhënave të prekura.
Kuvendi bëri të ditur se në këtë proces po bashkëpunon me institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike, përfshirë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Policinë e Shtetit dhe Komandën Kibernetike pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjithashtu është kërkuar edhe mbështetje teknike nga partnerët ndërkombëtarë për vlerësimin e plotë të situatës dhe për marrjen e masave të mëtejshme të sigurisë.
