Komisioni Europian ka reaguar pas zhvillimeve të fundit politike në Shqipëri që lidhen me kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një deklaratë zyrtare, Komisioni Europian theksoi se nuk komenton çështje që janë ende në proces hetimi dhe se vendimmarrja për heqjen e imunitetit të deputetëve i takon Parlamentit të Shqipërisë.
“Nuk komentojmë për çështje që janë ende në proces. I takon Parlamentit të Shqipërisë të shqyrtojë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në reagimin e institucionit evropian.
Reagimi vjen pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, i cili ka deklaruar se nuk do të dorëzojë Belinda Ballukun në SPAK, ndërsa kërkesa e prokurorisë për autorizimin e arrestimit të saj ka qenë në shqyrtim prej më shumë se dy muajsh.
Me këtë qëndrim, Komisioni Europian thekson se procedurat për heqjen e imunitetit të deputetëve janë kompetencë e Parlamentit shqiptar, i cili duhet të shqyrtojë kërkesat që vijnë nga organet e drejtësisë.
