A kishte të drejtë Parlamenti të refuzojë arrestimin e Ballukut? Ergys Mërtiri: Vendimi cenon ndarjen e pushteteve

Data

Analisti Ergys Mërtiri ka reaguar pas vendimit të shumicës parlamentare për të mos lejuar arrestimin e deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas tij, ky vendim përbën një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese dhe një ndërhyrje në punën e pushtetit gjyqësor, me qëllim pengimin e hetimeve.

Mërtiri thekson se pretendimi i kryeministrit Edi Rama se Parlamenti ka të drejtë të refuzojë heqjen e imunitetit nuk qëndron nga pikëpamja juridike. Sipas tij, Parlamenti nuk ka kompetencë të vendosë se çfarë mase sigurie duhet të marrë gjykata ndaj një personi që është në hetim.

“Parlamenti nuk ka të drejtë të vendosë se cila është masa e duhur ndaj një deputeti në hetim. Kjo është kompetencë ekskluzive e gjykatës dhe ndërhyrja në këtë proces përbën cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, u shpreh ai.

Sipas Mërtirit, Kushtetuta i jep Parlamentit të drejtën të vendosë për heqjen e imunitetit vetëm për të garantuar që një hetim ndaj një deputeti nuk ka motiv politik dhe nuk synon të pengojë ushtrimin e mandatit të tij.

Ai thekson se Parlamenti nuk duhet të gjykojë thelbin e provave apo të vendosë mbi masën e sigurisë, por vetëm të verifikojë nëse procedura ka bazë ligjore dhe nuk përdoret për qëllime politike.

Sipas tij, për sa kohë që as Balluku, as avokatët e saj dhe as kryeministri Rama nuk kanë pretenduar se hetimi është politik, vendimi për të mos lejuar arrestimin e saj bie në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve.

Mërtiri shtoi gjithashtu se nëse ka dyshime për vendimin e gjykatës apo për masën e kërkuar nga prokuroria, ekzistojnë shkallë të tjera të sistemit gjyqësor ku mund të ankimohet, dhe jo Parlamenti.

Sipas tij, në një sistem demokratik pushtetet janë të ndara dhe çdo ndërhyrje e njërit pushtet në kompetencat e tjetrit rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related