PD dorëzon amendamentet për integrimin në BE, kërkon forcim të kontrollit parlamentar dhe transparencë ndaj qeverisë

Data

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka dorëzuar në Kuvend një paketë amendamentesh lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Përmes amendamenteve, opozita deklaron mbështetjen për anëtarësimin e vendit në BE, por kërkon forcimin e rolit të Kuvendit, rritjen e transparencës dhe përfshirjen më të madhe të opozitës në proces.

Sipas PD-së, Kuvendi duhet të ushtrojë në mënyrë më efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës në raport me procesin e integrimit, duke garantuar përafrimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire dhe zbatimin konkret të tij.

Një nga pikat kryesore të amendamenteve lidhet me forcimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, veçanërisht për financat publike, prokurimet, koncesionet dhe fondet e Bashkimit Evropian.

PD kërkon gjithashtu rritje të transparencës, auditim të pavarur dhe më shumë llogaridhënie nga pushteti ekzekutiv.

Në amendamente kërkohet pjesëmarrje e plotë e opozitës në veprimtarinë parlamentare dhe respektim i standardeve demokratike, Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Një tjetër pikë lidhet me zbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe ndarjen e shtetit nga partia.

PD kërkon gjithashtu respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe forcimin e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fokus të amendamenteve janë edhe mbrojtja e gazetarisë së lirë, transparenca e pronësisë së medias dhe lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja.

Po ashtu opozita kërkon nxitjen e dialogut politik dhe shoqëror për të siguruar konsensus kombëtar mbi integrimin europian.

Në pikën e fundit të amendamenteve, PD thekson se Kuvendi duhet të refuzojë çdo nismë apo veprim që devijon Shqipërinë nga kursi i anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related