Detaje të reja kanë dalë në dritë nga përplasja e armatosur e ndodhur në Rrile të Lezhës, ku një berberhane u shndërrua në skenë atentati. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se autorët kishin informacion të saktë për praninë e 21-vjeçarit Merando Nikulaj në ambientet e sallonit.
Sipas hetimeve, autorët kanë mbërritur në zonë me dy automjete të ndryshme. Dy prej tyre, të maskuar dhe të armatosur me shkopinj bejsbolli, kanë hyrë fillimisht në berberhane. Situata ka degjeneruar shpejt në shkëmbim zjarri, ku është plagosur rëndë pronari i sallonit, Sokol Daci, i cili u godit gabimisht me tre plumba.
Nga kqyrja e pamjeve, dyshohet se i pari që ka qëlluar me armë zjarri ka qenë efektivi i policisë Besart Kovaçi, 24 vjeç, i cili ndodhej në shoqërinë e Nikulajt në momentin e ngjarjes. Pas të shtënave të para, autorët e tjerë, të pozicionuar jashtë, kanë qëlluar mbi 30 herë me kallashnikov në drejtim të sallonit.
Deri më tani janë identifikuar tre persona të dyshuar, Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim për tentativë vrasjeje. Dyshohet se edhe vetë shënjestra, Merando Nikulaj, ka qëlluar me armë nga brenda berberhanes dhe mund të ketë mbetur i plagosur në këmbë. Për këtë arsye, edhe ai është shpallur në kërkim.
Me urdhër të prokurorisë është ndaluar edhe polici Besart Kovaçi, nën dyshimin për shpërdorim detyre. Ndërkohë, policia vijon kontrollet në disa zona për kapjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Hetimet tregojnë se shkaku i kësaj përplasjeje të rëndë lidhet me një konflikt të dhunshëm të ndodhur rreth një vit më parë mes familjes Ndoka dhe Merando Nikulajt, në zonën e Kunes në Shëngjin, konflikt që kishte nisur pas një incidenti me motor dhe ishte shoqëruar me dhunë fizike dhe përdorim shkopinjsh bejsbolli.
