Trump rrit presionin ndaj Venezuelës: Largimi i Maduros nga pushteti do të ishte veprim i mençur

Data

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të ishte një veprim i mençur nëse presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, do të vendoste vetë të largohej nga pushteti, duke lënë të hapur mundësinë e ndryshimeve politike në vend.

“I takon atij të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Mendoj se do të ishte gjë e mençur nëse do të vepronte kështu, por do ta shohim”, u shpreh Trump para gazetarëve.

Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë që të mbajnë ose të shesin naftën e konfiskuar së fundmi pranë brigjeve të Venezuelës. Sipas tij, këto veprime janë pjesë e presionit të shtuar ndaj regjimit të Karakasit.

Fushata amerikane përfshin rritjen e pranisë ushtarake në rajon dhe operacione të shumta ndaj anijeve që dyshohet se janë të përfshira në trafikun e drogës në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Karaibeve. Raportimet flasin për dhjetëra sulme të tilla, me viktima të shumta.

I pyetur nëse qëllimi përfundimtar i Uashingtonit është rrëzimi i Maduros nga pushteti, Trump u përgjigj se “ndoshta mund të jetë”.

Administrata amerikane ka paralajmëruar gjithashtu një formë bllokade ndaj cisternave të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela. Ditët e fundit janë ndaluar disa anije në ujëra ndërkombëtare, në kuadër të këtyre operacioneve.

“Ndoshta do ta shesim, ndoshta do ta mbajmë”, tha Trump, duke iu referuar naftës së konfiskuar.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Venezuelën se përdor të ardhurat nga nafta për financimin e aktiviteteve kriminale të lidhura me drogën, akuza që autoritetet venezueliane i kanë mohuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related