Policia suedeze po heton një incident të rëndë të ndodhur të enjten në qytetin verior të Boden, ku raportohet për një shpërthim dhe disa persona të plagosur. Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes është qëlluar për vdekje nga policia gjatë ndërhyrjes.
Mediat vendase raportojnë se disa të lënduar janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sunderby për trajtim mjekësor. Zëdhënësi i policisë lokale e ka cilësuar ngjarjen si një incident serioz, duke konfirmuar se bëhet fjalë për një akt të dhunshëm dhe se hetimet janë në zhvillim.
Një banor i zonës ka deklaruar se rreth orës 13:00 në vendngjarje ndodheshin disa automjete policie dhe ambulanca, ndërsa ka pohuar se ka dëgjuar një shpërthim dhe ka parë një person që po dërgohej me ambulancë.
Qyteti i Bodenit ndodhet rreth 80 kilometra në jug të Rrethit Arktik dhe është i njohur si selia e Regjimentit të 19-të të Këmbësorisë së Suedisë, çka ka shtuar shqetësimet dhe nivelin e sigurisë në zonë.
Autoritetet suedeze nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi motivin e ngjarjes apo identitetin e autorit, ndërsa nuk përjashtohet pista e sulmit terrorist. Policia ka bërë thirrje për qetësi dhe ka njoftuar se do të dalë me informacion të përditësuar sapo hetimet të avancojnë.
