Partia Demokratike zyrtare ka hedhur dje akuza të forta në adresë të kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Kanë qenë kupola e kësaj partie, konkretisht kryetari i PD, Lulzim Basha dhe sekretari i Përgjithshëm, Enkelejd Alibeaj, ata të cilët teksa u përplasën në distancë në Kuvendin e Shqipërisë me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja lëshuan disa deklarata të forta. Si kryedemokrati Basha, ashtu edhe zoti Alibeja deklaruan me bindjen se ka pazare mes Ramës dhe Berishës, ndërsa folën edhe për çështje të “nxehta” që po hetohen nga drejtësia e re, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme (SPAK). Fillimisht ishte deputeti Alibeaj që zbuloi se punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) u dëbuan nga Kryeministria dhe nuk u lejuan të marrin prova për korrupsionin qeveritar. Ndërkohë që nga ana tjetër, zoti Basha tregon si u shpërblyen me poste vrasësit e “21 janarit” dhe pse nuk iu ka interesuar zbardhja e kësaj ngjarje.
Reagon Enkelejd Alibeaj
Konkretisht, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj theksoi në Kuvend se punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit janë dëbuar nga oborri i Kryeministrisë dhe nuk janë lejuar që të marrin aty materiale dhe dokumente. Ai u shpreh se SPAK dhe drejtësia e re është në rrezik të madh dhe ky është një alarm i madh. “Asnjë referim nuk është bërë në SPAK për vitin e kaluar, Punonjësit e BKH dëbohen nga oborri i kryeministrisë se duan të shkojnë të marrin materialet atje. Klithmat e kryeministrit se do të ngrinte atë komisionin, po e ngre dhe parlamenti u bë palë. Ky është rreziku i madh. SPAK, drejtësia e re janë në rrezik. Unë sot kam një thirrje për dy kategori, së pari për ndërkombëtarët, është një alarm i madhe për atë çfarë po ndodh për drejtësinë dhe për të ardhmen e këtij vendi. Janë një shumicë e frikshme që treguan se nuk kanë asnjë cipë për të ndërmarrë çdo iniciative natën për të goditur drejtësinë. Së dyti, e kam për shqiptarët, e kam për 70% të shqiptarëve që sot janë të etur për drejtësi. Është në dorë të tyre që me votën e tyre të kuptojnë që do ta lënë në dorë të të korruptuarve apo do ta marrin në dorë”, deklaroi dje Alibeaj.
Manja-Bashës: Gjithë kjo dashuri për SPAK, pse nuk shkon për ‘21 janarin’
Ndërkohë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja akuzoi PD-në se ka ngritur furtunën në gotë duke thënë se janë liruar të korruptuarit, por sipas tij , ta janë vetëm 8 nënpunës, të cilët nuk janë zyrtarë të lartë. Madje gjithë këtë “dashuri” për SPAK, Manja i sugjeroi Bashës që ta tregojnë duke u vendosur në dispozicion të drejtësisë së re për 21 janarin, rrugën e Kombit apo çështjen e lobimit rus në Partinë Demokratike. “Si mor burrë i dheut vjen dhe shet moral, vë dorën në zemër, qan për viktimat e drejtësisë. Kur the se dua amnisti për ata që godasin punonjësit e policisë, që i prenë dorën polices dhe vjen këtu e vë dorën në zemër dhe bën oralin e viktimave të këtyre që liruam nga amnistia. Ti je i pakënaqur me veten, kur s’u kënaqe kur të bëri Berisha ministër drejtësisë, s’ke për tu kënaq në këtë dynja, e keni mundësinë të tregoni vullnetin për të mbështetur SPAK dhe drejtësinë e re. Ai që është pas teje të shkojë në SPAK dhe të thotë unë vihem në dispozicion që të hetohem për rrugën e Kombit se i kam shpëtuar me raport mjeku, e dashur drejtësi e re kam një çështje të lobimit rus që e ka pushuar Prokuroria e Tiranës dhe dua ta hetoni ju, kjo është më dashuria për SPAK. Është një çështje tjetër që ka thënë Strasburgu, 21 janari është krim shtetëror i pahetuar. Moralisht të jesh ish ministër i Brendshëm të vriten 4 qytetarë të pafajshëm dhe mos të ndjesh detyrim moral të vihet në dispozicion të drejtësisë së re, ku është moral për SPAK, aty e keni, nëse e doni shkoni të jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kemi ngritur furtunën në gotë dhe keni hall politik, por mos barazoni veten me 8 fakir që sanksioni dhe vepra për të cilën janë dënuar e kanë nga gjobë deri në 3 vjet. Meqë jeni këtu tu jap një shifër, masa e dënimit të dhënët për këta ka qenë nga 8 muaj deri në 3 vjet, ju kemi fal nga 7 ditë deri në 1 vit e 5 muaj. Po të them ku janë 80 të dënuarit e SPAK që kanë përfituar dil e jep një emër. Kur t’i kesh emrat nga institucionet hajde këtu dhe thuaj. Ke për të ngel i pakënaqur gjithë jetën, se është çështje si je gatuar”, deklaroi ai. Më tej ministri Ulsi Manja theksoi se i dhimbset vetja që ia nuk ka flokë, ndërsa Bashës vetëm i shtohen. Manja e akuzoi se Bashën edhe të tijtë i thonë se ‘gënjen edhe për orën’, ndryshe nga sa bëjnë kolegët socialistë me të. Manja e sfidoi Bashën që nëse është gati le të shkojnë të dy të përballen me drejtësinë. “Nuk merrem me gjëra personale se bashkë jemi moshatarë jemi një gjeneratë më dhimbset vetja se ty të shtohen mua me bien. Kam hallin tim, kush thotë të vërtetën në këtë sallë secili do të besoj të vërtetën e vet. Ndryshe nga ti, kur të tutë thonë se edhe kur të pyet për orën gënjen këta të mitë nuk kanë arritur ta thonë për mua se ditën kur ta thonë do t’i ki nga politika. Jam gati është bërë refren dosja 184. Jam gati të shkoj. A je gati ti për ato që fola unë, të shkojmë atje. Kjo mazhorancë ka meritën e madhe që vuri në gojën shqiptarëve fjalën SPKA, një realitet i pamohueshëm sot për Shqipërinë dhe rrugëtimin në BE. Më dhimbset vetja se po ta shoh si grup, e shoh Açkën që sa herë flas unë u qan hallin ju”, nënvizoi dje Manja.
Kreu i PD i përgjigjet ministrit të Drejtësisë
Por përgjigja Ulsi manjës i erdhi nga kreu i PD, Lulzim Basha, i cili i tha ministrit të Drejtësisë, se “leshtë e tij i kanë ngelur në gojë”, ndërsa i tha që të merret më të vërtetat dhe të tregojë se përse i gënjeu shqiptarët se nuk amnistoi të korruptuarit. “Që je rëndë kuptohet, se një njeri që s’ka argumente merret me gjëra personale. S’ta kanë borxh shqiptarët që merresh me leshtë e mi. Të ngelen leshtë e mi në gojë, ti merru me të vërteta. Ke 11 vjet në qeveri, çoje në Prokurori, ti gënjen unë kam kërkuar heqjen e imunitetit këtu. Ju jeni mashtrues tjetër gjë thoni e bëni. 21 janari, a nuk i bëtë kryetar bashkish pushkatarët e 21 janarit, a se vutë ju në front sebepin e 21 janarit. Ca ju ka penguar ju, pse duhej të prisnit Strasburgun. Pse i gënjeve shqiptarët kur amnistove të korruptuarit dhe vazhdon të mbash me ndjekje penal e prindërit e fëmijëve që u lëshove gaz për ti nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhe protestues. Përgjigja është e thjeshtë se ti dhe shefi jot jeni nona e korrupsionit”, deklaroi dje Basha.
