Skënder Hita për ngjarjen në Zvërnec: Hetimet nisën menjëherë, kush cenon ligjin dhe besimin e qytetarëve do të përballet me ndëshkim

Data

Drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një konferencë për shtyp në Drejtorinë Vendore të Policisë në Vlorë, ku foli për ngjarjen e ndodhur në Zvërnec dhe masat e marra për ristrukturimin e strukturave policore në qark.

Hita deklaroi se menjëherë pas incidentit në Zvërnec janë ndërmarrë procedura hetimore dhe administrative për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

“Policia e Shtetit ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për të garantuar standardet e duhura të veprimit. Në orët e para pas ngjarjes nisën proceset hetimore dhe administrative, ndërsa sot u prezantua edhe drejtuesi i ri i Policisë së Vlorës”, u shpreh ai.

Kreu i Policisë theksoi se rezultatet përfundimtare të hetimeve do të bëhen publike sapo procesi të përfundojë, ndërsa nënvizoi se Policia e Vlorës duhet të funksionojë me transparencë dhe profesionalizëm.

Sipas Hitës, prioritetet kryesore mbeten parandalimi i kriminalitetit, garantimi i sigurisë së qytetarëve, trajtimi i denoncimeve, kapja e personave në kërkim dhe lufta kundër aktiviteteve të paligjshme.

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme për të garantuar rendin dhe sigurinë publike. Asnjë shkelje e ligjit nuk do të tolerohet. Ky është standardi që kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj në të gjitha strukturat policore”, deklaroi Hita.

Në përfundim, ai dha një mesazh të prerë për çdo punonjës policie apo individ që shkel ligjin.

“Kush cenon ligjin apo besimin e publikut do të përballet me ndëshkim”, theksoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related