“Qeveria e re të jetë partnere e drejtësisë”, Hoxha: Balluku ndante tenderë me telefon, vodhi 50 mln euro dhe qëndron ende në detyrë

Data

Skandalet e korrupsionit që lidhen me tenderët publikë dhe kapjen e shtetit nga krimi i organizuar, sipas opozitës, nuk kufizohen vetëm te dosjet “Balluku” dhe AKSHI, por përfaqësojnë vetëm majën e ajsbergut. Sipas Lisandër Hoxhës, ish-kandidat i Partisë Demokratike, në hetim ndodhen edhe çështje të tjera të rënda, të cilat pritet të bëhen publike në vijim.

I ftuar në një studio televizive, Hoxha deklaroi se fakti që zëvendëskryeministrja Belinda Balluku vijon të qëndrojë në detyrë, pavarësisht akuzave serioze për korrupsion, është i paprecedentë. Sipas tij, tenderët janë ndarë me telefon dhe vetëm në projektin e tunelit të Llogarasë janë vjedhur rreth 50 milionë euro.

Ai theksoi se kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri kanë arritur nivele absurde, deri në 30 milionë euro për kilometër, ndërsa krimi i organizuar, sipas tij, ka depërtuar thellë në pushtet. Për këto arsye, Hoxha u shpreh se kjo qeveri duhet të largohet, të krijohet një ekzekutiv teknik dhe vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Një ministre e pandehur, me masa sigurie dhe me kërkesë për heqje imuniteti për arrestim, vazhdon të qëndrojë në detyrë. Kjo tregon se qeveria është moralisht e rrëzuar, edhe nëse ende mbahet formalisht në këmbë”, u shpreh ai.

Hoxha shtoi se ka prova dhe fakte që, sipas tij, mund të çojnë drejt hetimeve edhe më të thelluara në nivelet më të larta të qeverisë. Ai paralajmëroi se skandale të tjera do të dalin në dritë, por theksoi se aktualisht nuk mund të flasë për to për shkak të sekretit hetimor.

Në vijim, ai deklaroi se qeveria e re që opozita synon të sjellë pas zgjedhjeve duhet të jetë partnere e drejtësisë dhe të bashkëpunojë ngushtë për të çliruar vendin nga korrupsioni dhe ndikimi i krimit të organizuar. Sipas tij, vetëm me mbështetjen e drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të rikthehet besimi dhe standardi i qeverisjes.

Në përfundim, Hoxha u shpreh se kësaj qeverie dhe politikanëve që e përfaqësojnë “u ka ardhur fundi”, duke shtuar se Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe një qeverisje të re për të ndalur varfërinë, korrupsionin dhe shpopullimin e vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related