Avokati dhe ish-politikani Spartak Ngjela ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për protestat që po zhvillohen në Tiranë.
Në reagimin e tij, Ngjela kritikon qëndrimin e Ramës, duke e krahasuar me retorikën e përdorur nga regjimi komunist i Enver Hoxha, i cili, sipas tij, çdo lëvizje kundërshtuese e konsideronte si të organizuar nga “agjentura të huaja”.
Sipas Ngjelës, kryeministri po përpiqet të përdorë një narrativë të ngjashme për të shpjeguar protestat, duke pretenduar se ato janë të nxitura nga faktorë të jashtëm. Ai argumenton se Rama synon të projektojë një figurë të fortë politike, por shton se kushtet historike dhe politike të sotme janë krejtësisht të ndryshme nga ato të periudhës komuniste.
“Rama kërkon të arrijë forcën e diktatorit, por kjo është e pamundur, sepse nuk jeton në të njëjtën kohë historike. Enver Hoxha e mbajti pushtetin përmes një sistemi diktatorial, jo përmes votës”, shkruan Ngjela.
Ai shton se përpjekja për të ndërtuar një autoritet të ngjashëm është, sipas tij, një “lajthim”, pasi një model i tillë nuk mund të funksionojë në kushtet e një sistemi pluralist dhe demokratik.
Reagimi i Ngjelës vjen në vazhdën e debatit publik mbi protestat që po zhvillohen prej javësh në Tiranë, ku pjesëmarrësit kanë artikuluar kërkesa për ndryshime politike dhe institucionale, ndërsa qeveria ka argumentuar se në protesta janë përfshirë edhe elementë që, sipas saj, ndjekin agjenda të ndryshme nga ato të organizatorëve.
