Pushues dhe banorë kanë raportuar prej disa ditësh ndryshim të ngjyrës së ujit në plazhin e Potamit, në Himarë, duke ngritur shqetësime për një ndotje të mundshme të ujërave bregdetare.
Në një reagim zyrtar, Bashkia Himarë bëri të ditur se situata po monitorohet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse dhe se janë marrë mostra të ujit për analiza laboratorike, me qëllim identifikimin e shkakut të fenomenit.
Sipas bashkisë, në terren janë angazhuar përfaqësues të Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si edhe task-forcat e ngritura për monitorimin e sezonit turistik.
Autoritetet theksojnë se, deri në përfundimin e analizave teknike, nuk ka një përfundim zyrtar mbi shkakun e ndryshimit të cilësisë së ujit dhe se çdo informacion që lidh fenomenin me burime të caktuara mbetet në nivel pretendimi.
Në deklaratë sqarohet gjithashtu se Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura që shërben për qytetin e Himarës vijon të funksionojë normalisht dhe, sipas monitorimeve të deritanishme, nuk janë konstatuar probleme teknike që ta lidhin impiantin me situatën e raportuar në Potam.
Bashkia Himarë u shpreh se do të publikojë rezultatet e analizave sapo ato të jenë përfunduar dhe siguroi se mbrojtja e cilësisë së ujërave detare, ruajtja e mjedisit dhe siguria e pushuesve mbeten prioritete gjatë sezonit turistik.
