Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e së enjtes zonën e Maliqit, ku gjatë një operacioni policor për kapjen e një personi në kërkim humbi jetën një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ndërsa mbetën të plagosur një tjetër punonjës policie dhe autori i dyshuar i sulmit.
Sipas informacioneve të raportuara, efektivi i plagosur, Edison Adri, ka marrë një plagë në nofull dhe do të transportohet drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar mjekësor.
Po ashtu, në Tiranë do të dërgohet edhe autori i ngjarjes, Violand Braçellari, i cili mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Raportohet se ai ka marrë një plagë me armë zjarri në zonën e brinjëve.
Ngjarja ndodhi gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia për kapjen e Braçellarit, person i shpallur në kërkim dhe i konsideruar me rrezikshmëri të lartë. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit pati shkëmbim zjarri, ku humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
