SPAK publikon raportin vjetor 2025, Klodjan Braho: Rritje e hetimeve dhe progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025, ku paraqiten rezultatet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë raste të reja, ndërsa 577 janë çështje të mbartura nga viti 2024. Vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara gjatë kësaj periudhe ka arritur në rreth 45.4 milionë euro.

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se rezultatet e raportit tregojnë progres në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa theksoi se institucionet po vazhdojnë punën intensive për hetimin e zyrtarëve që dyshohet se kanë abuzuar me detyrën.

“Ne po punojmë intensivisht për hetimin dhe ndjekjen penale të të gjithë zyrtarëve që kanë abuzuar me detyrën. Askush nuk është mbi ligjin dhe të gjithë janë të barabartë para tij”, u shpreh Braho.

Raporti tregon se gjatë vitit 2025 janë hetuar 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 18 janë dërguar për gjykim, ndërsa 10 persona janë dënuar me vendime të formës së prerë.

Në total, Gjykata e Posaçme ka dhënë 66 vendime dënimi gjatë vitit 2025, me 197 persona të shpallur fajtorë. Nga këta, 108 persona janë dënuar për korrupsion dhe abuzim me detyrën, ndërsa 89 për vepra që lidhen me krimin e organizuar.

Raporti thekson gjithashtu se janë sekuestruar rreth 43.49 milionë euro asete dhe janë konfiskuar rreth 1.91 milionë euro, ndërsa mes pasurive të sekuestruara përfshihen edhe kriptovaluta me vlerë rreth 12.4 milionë euro.

SPAK ka forcuar gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke regjistruar 95 kërkesa për ndihmë juridike nga jashtë, një rritje prej 35.7% krahasuar me vitin 2024.

Sipas raportit, përdorimi i masës së sigurimit “arrest me burg” është ulur ndjeshëm gjatë vitit 2025, duke reflektuar një zhvendosje drejt masave alternative të sigurisë në proceset hetimore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related