Çmimi i naftës në tregun shqiptar është rritur sërish këtë të martë, duke arritur deri në 198 lekë për litër në disa pika karburanti. Krahasuar me fillimin e muajit mars, rritja totale ka shkuar në rreth 25 lekë për litër.
Në kushtet e rritjes së çmimeve, Ministria e Ekonomisë ka zhvilluar një tjetër takim me përfaqësues të kompanive të hidrokarbureve për të diskutuar situatën e furnizimit dhe luhatjet në tregun e karburanteve.
Ndërkohë, Ministria e Financave ka përgatitur një plan masash për të mbajtur nën kontroll situatën e çmimeve, por deri më tani nuk pritet rikthimi i bordit të transparencës apo ndryshime në taksat e karburanteve.
Rritja e çmimeve të naftës lidhet kryesisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet gjeopolitike që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në bursat globale.
Nga ana tjetër, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa për ndërtimin e një impianti për përpunimin e naftës shqiptare, duke paralajmëruar se nëse situata vazhdon, çmimi i karburantit në treg mund të arrijë deri në 250 lekë për litër.
