Dëmtime serioze janë raportuar në urën mbi lumin Mat në aksin rrugor Milot-Lezhë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e qarkullimit në një nga segmentet më të rëndësishme të veriut të vendit.
Sipas pamjeve të publikuara, disa nga këmbët mbajtëse të urës kanë pësuar dëmtime të dukshme, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet nëse nuk ndërhyhet në kohë.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini shpjegon se devijimi i rrjedhës së lumit dhe gërryerja e shtratit të tij kanë ndikuar në destabilizimin e strukturave mbështetëse të urës. Sipas tij, ndërhyrjet e pakontrolluara në lumin Mat mund të rrezikojnë jo vetëm këtë urë, por edhe struktura të tjera të rëndësishme në zonë, përfshirë Urën e Zogut.
Banorët e zonës theksojnë se problemi vazhdon prej vitesh dhe lidhet edhe me nxjerrjen e inerteve nga lumi, ku sipas tyre operojnë dhjetëra kompani.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse nuk merren masa për stabilizimin e shtratit të lumit dhe për forcimin e strukturës së urës, mund të rrezikohet qarkullimi në këtë aks të rëndësishëm rrugor që lidh disa qytete të veriut me pjesën tjetër të vendit.
Një situatë e ngjashme u regjistrua edhe në korrik të vitit 2025, kur qarkullimi në Urën e Milotit u pezullua për shkak të dëmtimeve, duke shkaktuar probleme të mëdha në trafikun dhe aktivitetin ekonomik në zonë.
