Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, doli dje në konferencë për shtyp ku sqaroi pozicionin e tij në lidhje me përzgjedhjet që ka bërë për dy ndeshjet e para në këtë edicion të Ligës së Kombeve, ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Në fillim ai analizoi situatën me sulmuesin Armando Broja, duke thënë se është i dëmtuar dhe do të mungojë, për pasojë do ta zëvendësojë Myrto Uzuni. “Armando Broja nuk është në listë, është jashtë. Ne kemi pritur deri në fund, edhe dje ishim në kontakt me klubin e Evertonit. Ai kishte një problem me tendinën e Akilit, ka nisur rikuperimin dhe është jashtë 10-15 ditët e ardhshme, nuk mund të na ndihmojë. Më vjen keq për të dhe i uroj një rikuperim të shpejtë. Kemi thërritur Uzunin dhe nesër do të bashkohet me ne. Personale me Uzunin? Asgjë personale. Ne duam që lojtari të shkojë në fushë dhe të bëjë mirë. Personale nuk ka asgjë. Për këtë arsye nuk është Broja dhe është Uzuni. Është momenti i tij. Ai është lojtar me karakteristikë të ndryshme si qendërsulmues. Tani është momenti i Uzunit”, tha Silvinjo.
Mungesa e disa titullarëve
Më tej trajneri analizoi zgjedhjet e bëra, por u ndal edhe tek mungesa e disa elementëve, si Bare dhe Muçi. “Kur flas për 30-35 lojtarë, flas për një listë pritje, janë lojtarë në gjendje për të ardhur, por sigurisht që janë 4, 5, 10 më shumë. Për sa i përket Keidit, ai është në listë pritje, është lojtar që na intereson. Kombëtarja është e hapur. Kjo është pjesa më e bukur dhe lojtarët duhet ta kuptojnë. Unë kam qenë 15 vjet futbollist, duhet të kuptoj që duhet të vazhdoj të përmirësohem. Unë duhet të zgjedh 23 lojtarë, sigurisht që është pjesë e listës, e njëjta gjë ndodhi edhe me Uzunin, është lojtar pykë, dhe sot vjen te ne. Kur lojtari vjen, luan dhe shënon, kjo na bën të lumtur. Për fat të keq unë s’mund të sjell këtu 30-40 lojtarë, puna e një kombëtareje është ndryshe nga klubi, ku ke 25 lojtarë përgjatë një viti. Unë flas me 40 lojtarë dhe duhet të zgjedh, së bashku me stafin. Është punë e ndryshme, lojtarët duhet të kuptojnë. Siç thashë për Muçin, më pëlqen shumë ai lojtar, është shumë i mirë, por tani se marr dot. Nesër patjetër po. Fatkeqësisht si trajner duhet të bëj zgjedhje. Muçi është i rëndësishëm për ekipin, ka qenë gjithmonë pjesë e Kombëtares e kemi pasur edhe në Europian. Kemi punuar me stafin dhe në pozicionin e Asanit kemi si opsion Muçollin që është i dëmtua. Ne kemi bërë një vlerësim të lojtarëve që mund të kenë të njëjtat cilësi për të zëvendësuar Asanin dhe nuk mund të zgjedh më shume se 24 lojtarë. Muçi është i rëndësishëm dhe do të jetë në vazhdim me ne”, shtoi ai.
Beteja në Ligën e Kombeve
Silvinjo shpalosi edhe objektivat në këtë edicion të Ligës së Kombeve. “Liga e Kombeve është një kompeticion i rëndësishëm. Mund të na japë edhe një dorë për të ardhmen, për Kupën e Botës. Ukraina, Gjeorgjia dhe Çekia kanë skuadra të forta, kanë lojtarë të fortë do të jenë ndeshje të vështira dhe të luftuara. Jemi një Kombëtare në rritje. Nuk kemi kohë për të bërë eksperimente, nuk më pëlqen kjo fjalë. Duhet të përmirësohemi si Kombëtare. Shkojmë në fushë për të prezantuar njerëzit dhe për të përfaqësuar një komb, të luajmë me shpirt dhe zemër. Ne duhet të hyjmë në fushë për të luftuar, për t’i dhënë të gjitha aty”, përfundoi Silvinjo.
