Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mblidhet nesër, më 9 dhjetor, në orën 11:00, për të votuar mbi propozimin e SPAK-ut që Joni Keta të emërohet drejtor i Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Keta, i cili aktualisht mban postin e zëvendësdrejtorit të BKH-së, u përzgjodh si kandidati finalist në një proces që zgjati disa muaj. Në garë ishin shtatë kandidatë, mes të cilëve prokurorë dhe zyrtarë të lartë të policisë, të cilët iu nënshtruan një serie vlerësimesh profesionale nga SPAK.
Nëse miratohet nga KLP-ja, Joni Keta do të marrë drejtimin e strukturës së specializuar që mbështet SPAK-un në hetimet e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Mandati i parë i BKH-së u drejtua nga Aida Hajnaj, e cila e themeloi dhe drejtoi strukturën që shpesh quhet “FBI-ja shqiptare”.
Sipas dokumentit zyrtar të shpërndarë për mediat, mbledhja e nesërme do të zhvillohet në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në prani të përfaqësuesve të Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrisë së Drejtësisë, projektit Eu4Justice dhe programit OPDAT.
Rendi i ditës përfshin:
- Miratimin e procesverbaleve të mbledhjeve të 13, 14 dhe 18 nëntorit 2025.
- Diskutimin dhe miratimin e projektvendimit për emërimin e Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
- Miratimin e projektvendimeve për transferimin e përkohshëm të një prokurori në Prokurorinë e Elbasanit.
Mbledhja do të jetë publike dhe mediat janë të ftuara të marrin pjesë.
