Taulant Toma, 41 vjeç, i dënuar në Itali për një sërë grabitjesh dhe i njohur për aftësinë e tij për t’u arratisur, ka realizuar edhe një herë një arratisje spektakolare – kësaj radhe nga burgu i sigurisë së lartë në Opera, Milano. Pamjet e publikuara së fundmi tregojnë qartë mjetet që janë përdorur për të prerë hekurat e qelisë, si dhe dritaren nga ku ai u largua duke përdorur çarçafë të lidhur.
Sipas hetuesve italianë, Toma arriti të priste hekurat me mjete të improvizuara, duke krijuar një hapësirë të mjaftueshme për të dalë. Më pas ai zbriti nga dritarja duke lidhur çarçafë dhe arriti të kalonte murin rrethues të burgut, i cili është rreth 6 metra i lartë. Arratisja ka ndodhur gjatë orëve të natës, kur survejimi është më i vështirë.
Autoritetet po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të rindërtuar moment pas momenti mënyrën si ndodhi arratisja dhe për të verifikuar nëse Toma ka pasur ndihmë nga brenda burgut. Hetimi pritet të zbulojë edhe nëse ai ka pasur kontakte të dyshimta përpara se të arratisej.
Toma është një emër i njohur për drejtësinë italiane, pasi kjo nuk është hera e parë që ai i shpëton sistemit penitenciar. Në vitin 2013, ai dhe një tjetër i dënuar arritën të largoheshin nga burgu i Parmës, për të cilën më vonë u kapën në Belgjikë. Edhe nga një burg pranë qytetit Liège ai arriti të arratisej. Arratisja e tij e parë është regjistruar në vitin 2009, nga burgu i Ternit.
Aktualisht, policia italiane ka nisur një operacion të gjerë kërkimi në të gjithë vendin për kapjen e Taulant Tomës, i konsideruar i rrezikshëm dhe me aftësi të veçanta për t’u zhdukur pa lënë gjurmë.
