Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka kritikuar qartësisht vizionin e ri të Shteteve të Bashkuara për Evropën, të paraqitur në strategjinë e re të sigurisë kombëtare amerikane. Gjatë një aktiviteti në Paris, Costa theksoi se Bashkimi Evropian duhet të reflektojë me seriozitet mbi mesazhin e Uashingtonit dhe të forcojë autonominë e tij strategjike.
Sipas tij, marrëdhëniet midis aleatëve nuk janë më ato të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore dhe Evropa duhet të përshtatet me realitetet e reja gjeopolitike. Ai kundërshtoi pretendimet e strategjisë amerikane, ku flitet për censurë të lirisë së shprehjes në BE dhe për rritje të ndikimeve nacionaliste.
“Ajo që nuk mund të pranojmë,” u shpreh Costa, “është çdo tentativë për t’u ndërhyrë në jetën politike të Evropës. Shtetet e Bashkuara nuk mund të zëvendësojnë qytetarët evropianë në vendimmarrje për partitë apo drejtimin politik të kontinentit.”
Ai theksoi se Evropa ka vizionin e saj për lirinë e shprehjes dhe kjo nuk mund të ndikohet nga doktrinat e jashtme.
Gjithashtu, Costa akuzoi disa prej gjigantëve të teknologjisë amerikane për dominim të informacionit, duke thënë se kjo gjendje cenon lirinë e qytetarëve evropianë.
Në fjalën e tij, ai nënvizoi nevojën që Evropa të vazhdojë përpjekjet për riarmatosje dhe për të forcuar kapacitetet e veta mbrojtëse. Sipas tij, SHBA-ja mbetet aleate thelbësore, por kjo nuk e pengon Bashkimin Evropian të ndërtojë një vizion më të pavarur strategjik.
Strategjia e re e sigurisë kombëtare të SHBA-së, e publikuar një javë më parë, e përshkruan Evropën si të ngarkuar me rregullore të shumta, të fragmentuar dhe në rrezik nga migracioni masiv, duke nxitur debat të fortë brenda vendeve anëtare të BE-së.
Në përfundim, Costa theksoi se Evropa duhet të qëndrojë e bashkuar, të mbrojë parimet e saj dhe të mos lejojë deformimin e vizionit të saj demokratik.
