Ndërsa Prokuroria e Posaçme ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për arrestimin e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, institucionet në varësi të saj kanë hapur një seri procedurash të reja tenderimi me vlera shumë të larta financiare.
Vetëm pak ditë pas emërimit të drejtuesit të ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar, janë shpallur katër tendera të rinj, me një vlerë totale që i afrohet 90 milionë eurove.
Tenderi i parë ka të bëjë me projektin e quajtur “arredim dhe rikualifikim urban” të superstradës Tiranë–Durrës, nga Faza I deri në Fazën III. Për punime që përfshijnë kryesisht vijëzime dhe sinjalistikë horizontale dhe vertikale, fondi limit arrin rreth 1.4 miliardë lekë, ose afro 15 milionë euro. Kjo vjen pavarësisht se për këtë aks rrugor janë shpenzuar më herët mbi 75 milionë euro në disa lote ndërtimi.
Dy tenderë të tjerë lidhen me ndërtimin e rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me Korridorin e Tetë. Për fazën e parë është parashikuar një fond mbi 35 milionë euro, ndërsa për fazën e dytë rreth 25 milionë euro të tjera. Në total, për Unazën e Elbasanit janë planifikuar mbi 60 milionë euro, në një zonë që prej vitesh konsiderohet ndër më problematiket për qarkullimin rrugor.
Tenderi i katërt ka të bëjë me aksin Kashar–Nyja Vaqarr, faza e tretë, me një fond rreth 16 milionë euro. Për dy fazat e mëparshme të këtij projekti janë shpenzuar tashmë dhjetëra milionë euro, ndërsa edhe kjo procedurë është hapur me ritme të shpejta.
Hapja e këtyre katër tenderëve ndodh në një moment të ndjeshëm politik dhe institucional, kur ministrja përgjegjëse ndodhet nën hetim dhe SPAK ka kërkuar masa më të rënda sigurie, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, urgjencën e vendimeve dhe kontrollin e fondeve publike.
