Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar mbi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”. Me shumicë votash, gjykata ka vendosur të shfuqizojë vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim.
Sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë një arsyetim të plotë për dy pretendime thelbësore të paraqitura nga kërkuesi.
Pika e parë lidhet me proporcionalitetin e masës së sigurisë në raport me të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar funksionin publik. Kushtetuesja vlerësoi se nuk ishte analizuar nëse masa “arrest në burg” ishte e domosdoshme apo nëse masa më pak kufizuese, si garancia pasurore, mund të shmangnin rreziqet procedurale pa penguar ushtrimin e mandatit të kryetarit të bashkisë.
Pika e dytë ka të bëjë me mungesën e arsyetimit mbi pretendimin e Veliajt se qëndrimi në kabinën e xhamit gjatë seancave gjyqësore cenonte prezumimin e pafajësisë dhe krijonte perceptimin e një personi të rrezikshëm.
Vendimi zbulon edhe qëndrime të ndryshme mes gjyqtarëve kushtetues. Katër prej tyre vlerësuan se masa e arrestit ishte joproporcionale, duke argumentuar se izolimi i zgjatur ka penguar ushtrimin e mandatit të fituar përmes zgjedhjeve dhe ka ndikuar edhe te e drejta e qytetarëve për t’u përfaqësuar nga i zgjedhuri i tyre.
Nga ana tjetër, gjyqtari relator Ilir Toska Vokshi votoi kundër shfuqizimit të vendimit, duke argumentuar se kërkuesi nuk kishte shteruar të gjitha mjetet juridike për këtë pretendim. Ai gjithashtu vlerësoi se përdorimi i kabinës së xhamit nuk përbën domosdoshmërisht trajtim degradues, nëse respektohen kushtet e nevojshme.
Në vendim përfshihen edhe argumentet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila ka mbështetur vazhdimin e masës së sigurisë, duke pretenduar se ekziston rreziku i ndikimit mbi provat dhe dëshmitarët, si edhe i pengimit të hetimeve. Sipas SPAK, provat e administruara mbështesin dyshimet për një skemë të organizuar korrupsioni.
Me këtë vendim, çështja rikthehet në Gjykatën e Lartë, e cila do të duhet të shqyrtojë sërish rekursin dhe të japë një arsyetim të plotë mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë dhe pretendimet e paraqitura nga mbrojtja.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
