Gazetari Basir Çollaku ka bërë deklarata të forta ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke i cilësuar si dy organizata kriminale që, sipas tij, kanë qendrën e funksionimit në Kryeministri.
Gjatë një interviste televizive, Çollaku u shpreh se vendi i Ballukut është në qeli, duke theksuar se abuzimet me tenderat publikë nuk janë vetëm ato që janë bërë publike deri më tani, por se dosja e Prokurorisë së Posaçme përfshin shumë më tepër raste dhe shuma edhe më të mëdha financiare.
Ai komentoi gjithashtu ankimimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet ta shqyrtojë çështjen më 22 janar, duke theksuar se ky institucion duhet të marrë një vendim që të shërbejë si precedent për raste të ngjashme në të ardhmen. Sipas Çollakut, Gjykata Kushtetuese ndodhet nën presion politik, pasi është i vetmi institucion i drejtësisë ku, sipas tij, kryeministri ende ka ndikim.
“Ka edhe tendera të tjerë që ndodhen në SPAK, bëhet fjalë për miliarda. Dosja e Ballukut ka qenë gati për vendimmarrje prej një viti e gjysmë. Çfarë e pengoi arrestimin? Unë them se ndërhynë interesa të tjera. Por pavarësisht asaj që do të ndodhë në Kushtetuese më 22 janar, mendoj se SPAK do të ripërsërisë kërkesën për arrest me burg. Destinacioni është qelia, sepse shumica e fakteve që ende nuk janë bërë publike janë edhe më të rënda. Janë dy struktura që funksionojnë si organizata kriminale: AKSHI dhe Belinda Balluku”, u shpreh Çollaku.
Nga ana tjetër, analisti Ben Andoni u shpreh se Balluku duhej të kishte dhënë dorëheqjen shumë më herët për t’u përballur me drejtësinë.
“Gjykata Kushtetuese do të jetë e kujdesshme. Balluku e ka marrë rrugën e saj drejt përballjes me drejtësinë, por unë kam qenë i mendimit se ajo duhej të jepte dorëheqjen që më parë”, tha Andoni.
