SPAK intensifikon hetimet ndërkombëtare, 156 letër-porosi drejt dhjetëra vendeve për korrupsion dhe krim të organizuar

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin ndërkombëtar gjatë vitit 2025 në kuadër të hetimeve për korrupsionin, krimin e organizuar dhe terrorizmin.

Sipas raportit vjetor të institucionit, prokurorët e posaçëm kanë dërguar 156 kërkesa për ndihmë juridike tek autoritetet e huaja, me qëllim sigurimin e provave, verifikimin e transaksioneve financiare dhe gjurmimin e aktiviteteve kriminale jashtë territorit të Shqipërisë.

Deri tani, autoritetet e huaja kanë ekzekutuar 55 nga këto kërkesa, ndërsa 3 janë realizuar pjesërisht dhe 97 të tjera vijojnë të jenë në proces.

Kërkesat janë drejtuar në një numër të madh shtetesh, mes tyre Franca me 55 kërkesa, Holanda me 12, Italia me 8, Kosova me 7, ndërsa Belgjika, Greqia dhe Zvicra kanë nga 6 kërkesa secila. Po ashtu kërkesa janë dërguar edhe në vende si SHBA, Britania e Madhe, Brazili, Kanadaja, Qiproja, Peruja dhe Paraguai.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e letër-porosive lidhen me hetimet për trafik narkotikësh, pastrim parash dhe veprimtari të grupeve të strukturuara kriminale. Ndërkohë janë dërguar kërkesa edhe për raste që lidhen me vrasje, trafik armësh, falsifikim dokumentesh, kontrabandë dhe terrorizëm.

Raporti i SPAK tregon gjithashtu se nga viti 2020 deri në fund të vitit 2025 janë ngritur akuza penale ndaj 81 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë.

Vetëm gjatë vitit 2025 janë regjistruar procedime penale për 19 zyrtarë të nivelit të lartë, ndërsa në total janë hetuar 30 persona që përfshijnë ish-ministra, ish-deputetë, kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, drejtues institucionesh, si dhe ish-gjyqtarë e ish-prokurorë.

Mes personave nën hetim përfshihen një ish-zëvendëskryeministër, një ish-kryetar Kuvendi, një ish-ministër, gjashtë ish-deputetë, gjashtë kryetarë bashkie dhe disa drejtues të institucioneve publike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related