Ambasada e SHBA reagon pas vendimit për Ballukun: Mos cenoni SPAK, pavarësia e drejtësisë thelbësore për marrëdhëniet me Shqipërinë

Data

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas vendimit të mazhorancës për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një përgjigje për mediat, ambasada theksoi se nuk komenton çështje ligjore që janë në proces, por nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë në Shqipëri.

Sipas deklaratës, pavarësia e drejtësisë është thelbësore për vazhdimin e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për vazhdimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështje ligjore që janë në proces”, thuhet në reagim.

Reagimi vjen pasi Partia Socialiste refuzoi të japë autorizimin për arrestimin e Ballukut, të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.

Ndërkohë edhe Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me këtë zhvillim, duke theksuar se nuk komenton raste që janë në proces dhe se shqyrtimi i kërkesave për heqjen e imunitetit të deputetëve është kompetencë e Parlamentit të Shqipërisë.

Mazhoranca socialiste ka argumentuar se SPAK nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të justifikuar masën e arrestit ndaj Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qëndrimi i Partisë Socialiste për këtë çështje është i prerë.

Sipas Ramës, Balluku duhet të hetohet dhe të gjykohet nga drejtësia, por kërkesa për arrestim nuk është e justifikuar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related