Alarm në Rrugën e Arbrit: Shembje dherash në Shkallë të Xibrit, rrezikohet argjinatura dhe ura

Data

Reshjet e pandërprera të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në Rrugën e Arbrit, duke rritur rrezikun për rrëshqitje dherash dhe dëmtime të infrastrukturës.

Situata paraqitet problematike në segmentin e Xibrit, nga tuneli i Murrizit deri te tuneli numër dy në fshatin Shkallë, ku në disa pika është evidentuar prani e madhe uji dhe shembje dherash. Fryrja e tokës nga reshjet e vazhdueshme ka bërë që në shpatet e malit të çlirohen burime uji, të cilat po shkaktojnë rrëshqitje të vazhdueshme dhe paqëndrueshmëri të terrenit.

Edhe pse deri në këto momente qarkullimi ka vijuar normalisht, rreziku mbetet i lartë. Sasia e zallit të fryrë në zonën Xibër–Murrizë po ushtron presion mbi argjinaturën mbrojtëse të rrugës në fshatin Shkallë, duke rrezikuar seriozisht stabilitetin e saj, si edhe shembjen e urës së lagjes “Metaj”.

Probleme janë evidentuar edhe në tunelin numër 5 të Rrugës së Arbrit, mbi urën e Vashës, ku rreth 90 për qind e ndriçimit është jashtë funksioni për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik, duke e bërë kalimin edhe më të rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa drejtuesve të automjeteve u bëhet thirrje të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes dhe të shmangin segmentet problematike, sidomos nëse reshjet vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related