Kryeministri Edi Rama mund të përballet me zhvillime të reja në raport me drejtësinë, pasi emri i tij përmendet në një nga dosjet hetimore që lidhen me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Paralajmërimi është bërë nga gazetari Enton Abilekaj, i cili gjatë një interviste televizive deklaroi se në një prej dosjeve të fundit hetimore përmendet me emër dhe mbiemër edhe kryeministri Rama.
Sipas tij, në dokumentet hetimore përmenden takime që cilësohen si të dyshimta dhe që, nëse hetohen deri në fund, mund të çojnë në akuza për korrupsion.
Abilekaj tha se ndryshimi i qëndrimit të Ramës ndaj institucioneve të drejtësisë lidhet pikërisht me këtë zhvillim, duke pretenduar se deri tani kryeministri ka mbështetur drejtësinë vetëm në rastet kur hetimet nuk preknin nivelet më të larta të qeverisë.
“Është hera e parë që drejtësia na ka sjellë një dosje ku jo vetëm përfshihet ish-zëvendësja e Ramës, por përmendet edhe vetë Edi Rama me emër dhe mbiemër si një person që ka zhvilluar takime të dyshimta”, deklaroi Abilekaj.
Sipas tij, kjo pjesë e dosjes mund të sjellë pasoja të rënda për kryeministrin nëse hetimet thellohen.
Komentet e gazetarit vijnë në një moment kur debati politik është përqendruar te çështja e Belinda Ballukut, për të cilën Partia Socialiste refuzoi të japë autorizimin për arrestimin e saj të kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.
