Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 19:00 protestën e radhës në Tiranë, ndërsa Policia e Shtetit ka paralajmëruar se tubimi është i autorizuar vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e ka cilësuar protestën si një “kryengritje paqësore”, duke deklaruar se opozita ndodhet “në kilometrin e fundit”.
Ndërkohë, Policia ka njoftuar masa të shtuara sigurie dhe kufizime të qarkullimit në disa akse kryesore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e së enjtes deri në përfundim të tubimit do të bllokohet lëvizja dhe parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”.
Po ashtu, nga ora 15:00 e datës 8 maj do të ketë bllokime të qarkullimit edhe në segmentin nga Ministria e Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se protesta duhet të qëndrojë brenda perimetrit të autorizuar.
“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruar”, tha Hita.
Ai paralajmëroi se në rast të veprimeve të kundërligjshme, policia do të ndërhyjë sipas procedurave standarde dhe Kodit Penal.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga çdo akt që cenon rendin dhe sigurinë publike.
Në protestën e mëparshme të opozitës, policia ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve dhe për të penguar kalimin e protestuesve drejt Kuvendit.
