Denoncimet publike duket se nuk e shqetësojnë fare kryetaren e Bashkisë së Durrësit, e cila vazhdon të pompojë miliardë lekë pa garë tek kompania Rajli Ndërtim. Rasti më i fundit është ai i riaftësimit strukturor të pallatit numër 1047, në rrugën Taulantia. Fondi limit për këtë tender ishte paracaktuar 74 milionë e 79 mijë lekë ose rreth 745 mijë euro.
Në tenderin me procedurë të kufizuar ka patur vetëm një ofertë. Ajo e bashkimit të kompanive Rajli Ndërtim dhe Sireta, të cilat kanë paraqitur ofertën prej 73 milionë e 984 mijë lekë ose sa 99.9 për qind e fondit limit. Bashkia e Durrësit e shpalli fituese ofertën e vetme.

Megjithë akuzat e mediave dhe opozitës Rajli dhe Sako vazhdojnë të qetë biznesin e tyre miliarder, të ngritur mbi fatkeqësinë e tërmetit. Dhe ndonëse tashmë kanë kaluar plot 5 vjet nga tërmeti shkatërrimtar paratë vazhdojnë të rrjedhin lum nga Sako tek Rajli.
Biznes vetëm me Bashkinë e Durrësit
Raji Ndërtim është një kompani me seli në Durrës. Ajo zotërohet nga dy aksionere, që janë Enkelejda Gojashi dhe Lediana Mata. E para njihet si anëtare e Partisë Socialiste dhe aktiviste e flaktë e Rilindjes, deri në pikën që në të shkuarën ka qenë shpesh dhe anëtare e Komisioneve Zonale të Zgjedhjeve.
